Trajneri i Burrelit Nikaj: Nuk jemi aspak euforik, çdo kundërshtar vlerësohet maksimalisht
Fitorja e të shtunës në Shkodër ndaj Veleçikut të Koplikut nuk ka shkaktuar eufori në kampin matjan. Trajneri Samuel Nikaj tha se çdo kundërshtar do të marrë vëmendjen e duhur dhe se objektivi mbetet i njëjtë, superliga. Nikaj u shpreh se ndeshja e radhës ndaj Vorës është po aq e rëndësishme sa çdo ndeshje tjetër e luajtur deri tani apo që do të luhet në vazhdim. Marrja e pikëve maksimale në çdo ndeshje është qëllim parësor në skuadër.
“Disa ndeshje në fazën e parë na dhanë mësim, pasi në dukje ishin skuadra jo në nivelin tonë, por ose kemi fituar minimalisht ose na kanë mbajtur barazim. Kjo ka bërë që në këtë rinisje kampionati gjërat t’i shohim më ndryshe. Fitorja me Veleçikun nuk ishte krejt e lehtë pasi ajo skuadër ka element cilësor dhe ka patur gjithmonë. Këtë e ka treguar edhe merkatoja që kemi bërë me të. Më pëlqeu ndeshja e parë sepse i kanë përthithur shpejt idetë e reja që kemi përdorur. Ne nuk do ta shohim asnjëherë renditjen as kë kemi para e as pas, thjeshtë çdo ndeshje do ta trajtojmë si finale. Kjo për të bërë ëndërrën tonë realitet, pasi u nis si një ëndërr por tashmë është kthyer në objektiv. Kemi bërë një punë mjaft të mirë dhe jemi në rrugën e duhur, për të dhënë jo vetëm performacë të mirë, por edhe për rezultate duke luajtur gjithmonë fair play. Kjo jo vetëm ka ndryshuar imazhin e Burrelit, të etiketuar gjithmonë si problematik, por edhe rezultatet” – tha Nikaj.
Ndërkohë për kapitenin e skudarës matjane Dritmir Beci, djemtë janë në formën më të mirë të mundshme edhe për përballjen e kësaj të shtune. Edhe Beci shprehet se nuk ka vend për eufori, por për rezultate të mira.
“Ekipi është në gjendje të mirë dhe po kalon moment të mira. Morëm një fitore shumë të mirë me Veleçikun. Ekipi është i plotë për ndeshjen e radhës, duke i bërë të gjithë optimist. S’ka vend për eufori pasi nuk kemi arse të madhe për tu kënaqur me një ndeshje. Të gjitha ndeshjet kanë rëndësinë e tyre, nuk ka ekipe të dobta ndaj dhe nuk ka vend për eufori” – u shpreh Beci.
Nikaj ju ka vënë në dukje lojtarëve gjatë analizës së javës, problemet e vogla të konstatuara në përballjen ndaj Veleçikut.