Tragjike në Klos, makina përfundon në zall, një i zhdukur e një i mbijetuar, policia arreston drejtuesin e mjetit

Tragjike në Klos, makina përfundon në zall, një i zhdukur e një i mbijetuar, policia arreston drejtuesin e mjetit
Një aksident tragjik është regjistruar rreth orës 01 e 30 minuta të datës 10 janar, në afërsi të qytetit të Klosit. Një automjet tip “Audi A8” me targa angleze, përfundoi në zallin e Darsit teksa lëvizte në drejtim të fshatit Fullqet. Makina, të cilën e drejtonte 24-vjeçari Andi Losha dhe me të udhëtonte 30-vjeçari Jurgen Karaj, doli jashtë rruge në afërsi të urë së “Halilajve”. Ndërkohë, sipas policisë, 24-vjeçari Andi Losha ka arritur të dalë nga automjeti që përfundoi në zall, por nuk ka pasur të njëtin fat 30-vjeçari Kurgen Karaj. Policia më pas ka arrestuar drejtuesin e mjetit me motivacionin se nuk ka njoftuar ngjarjen, nuk i ka dhënë ndihmën e parë pasagjerit, si dhe ka rezultuar i dehur. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë, shërbimit zjarrfikës dhe polumbarët të cilët kanë nisur kërkimet përgjatë rrjedhës tejmbushur të zallit të Darsit. Kërkimet në prurjet zallit rezultuan të pasuksesshme pasi nuk u gjet asnjë shenjë e trupit të të riut. Duke qenë se distanca e aksidentit me lumin e Matit është shumë e vogël, dyshohet se30- vjeçari të jetë rrëmbyer nga rrjedha e ujit të lumit. Tashmë kërkimet janë zhvendosur përgjatë shtratit të lumit të Matit nga Klosi në drejtim të Burrelit. Në terren ndodhen forcat e postës së policisë së Klosit, të Komisariatit Mat, si dhe vullnetarë të cilët janë ndarë në disa grupe, por deri në orët e pasdites së të shtunës nuk u gjet asnjë gjurmë e 30-vjeçarit të zhdukur Jurgen Karaj. Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa pritet dëshmia e plotë e drejtuesit të automjetit Andi Losha për të treguar dinamikën e këtij aksidentit tragjik në Klos.