Tre minatorë humbën jetën në një nga minierat e kromit në zonën e Selishtës në Dibër.
Viktimat janë Ismail Hoxha, 64 vjeç nga Peshkopia me detyrë inxhinier dhe dy punëtorët Fatos Çesku 55 vjeç, e Rexhep Rushiti 33 vjeç, të dy nga Bulqiza. Ngjarja e rëndë ndodhi në malin e Balgjajt, pasditen e të mërkurës.
Nje i njohur i Fatos Çeskut, një ndër personat që humbi jetën në Selishtë është shprehur se viktimat kishin tre ditë që kishin humbur kontaktet me familjarët dhe dyshohet se ato janë zënë nga një masiv dheu. Në deklaratën e tij për Mat Televizion ai shprehet se galeria ka qene e mbyllur dhe viktimat kanë punuar në të zezë për të siguruar bukën për familjen e tyre.
Edhe të njohurit e tjerë të viktimave theksojnë pohojnë se viktimat ishin prej tre ditësh të bllokuar dhe gjetja e tyre është bërë e mundur nga familjarët.
Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje, ndërsa sipas policisë, dyshohet se tre minatorët janë asfiksuar nga gazrat nëntokësorë. Ndërkohë mësohet se 64-vjeçari Ismail Hoxha, ka qenë pronar i galerisë së kromit ku ka ndodhur tragjedia.