Tomori – Burreli, ndeshja e cila për pak përfundoi në tragjedi, flet futbollisti Florenc Farruku

0

  Ndeshja e luajtur të hënën në Berat mes Tomorit vendës dhe Burrelit, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi. Në minutën e 22 të takimit, sulmuesi matjan, Florenc Farruku gjatë një aksioni është përplasur me një nga futbollistët e Tomorit.

Përplasja kokë më kokë ka qenë shumë e fortë, duke e lënë futbollistin matjan Farruku pa ndjenja për afro 10 minuta.

E mënjëhershme ka qenë ndihma e stafeve mjekësore të të dyja skuadrave të cilët kanë arritur të rikthejnë vetëdijen e sulmuesit të Burrelit, i cili është transportuar me urgjencë për në spitalin Rajonal të Beratit, ku i është nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme.

I kontaktuar nga Mat Televizion, sulmuesi matjan tha se përplasja ka qenë në një moment dyluftimi me kokë gjatë një aksioni kundërsulmi dhe se futbollisti i skuadrës beratase, Abara nuk e ka bërë qëllimisht.

Sipas Farrukut ai është përmendur në spital dhe mjekët kanë konfirmuar se nuk ka asnjë pasojë të rëndë në vijim nga përplasja e pësuar.

Ndeshja mes Tomorit dhe Burrelit përfundoi me fitoren e matjanëve me rezultatin minimal 0 me 1.