Rekamë

Një tjetër vatër zjarri është shfaqur në ekonominë pyjore të Balgjajt këtë të Mërkurë. Vatra e re është përhapur në një sipërfaqe të madhe, duke rrezikuar që të përfshijë masivin me pishë. Drejt Balgjajt janë nisur mëngjesin e sotëm punonjës të emergjencave civile, të shërbimit zjarrfikës e atij pyjor pranë Bashkisë së Klosit.
Për shkak të erës së fortë, vatra e ndodhur në vendin e quajtur “Maja e Deshëve” ka zgjeruar konsiderueshëm perimetrin duke e bërë vënien nën kontroll të vështirë për shkak edhe të terrenit të thyer.
Po ashtu, është riaktivizuar sërisht vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Fusha e Thatë”. Edhe kjo vatër zjarri rrezikon një ndër masivet më të bukura me pemë në Balgjaj.
Prej afro 10 ditësh punonjës të shumtë të ekipeve të zjarrfikëses e ato të shërbimit pyjor të Bashkisë së Klosit po përballen me flakët, por vatra riaktivizohet. Në këto kushte dyshohet se zjarri të jetë i qëllimshëm nga vetë dora e njeriut.
Edhe një ditë më parë një vatër zjarri u shfaq në afërsi të “Shkëmbit të Kuq” të fshatit Suç. Ndërhyrja e shpejtë me forca dhe mjet zjarrfikës bëri të mundur shuarjen e zjarrit e cila rrezikonste masivin me lis të lagjes “Shkorsë”.