Një tjetër segment problematik i rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi është edhe ai Klos – Bulqizë. Mat Televizion e ka ngritur disa herë shqetësimin e drejtuesve të automjeteve, kryesisht për pjesën e rrugës në fshatin Kloskatund. Ky dëmtim i asfaltit bashkë me shtresat e tjera të rrugës, prej kohësh jo vetëm është kthyer në problem për qarkullimin por edhe në rrezik për mjetet të cilat dëmtohen gjatë kalimit në të, si pasojë e kontaktit me asfaltin. Me gjithë shqetësimin dhe kërkesat e drejtuesve të automjeteve për të ndërhyrë në këtë aks rrugor, autoritetet kanë bërë një vesh shurdh e një sy qorr, duke mos bërë detyrën e tyre për të ndërhyrë. Kjo është një tjetër dëshmi se si firma mirëmbajtëse e kësaj rruge në një periudhë 5 vjeçare po e lë atë në gjendje më të keqe siç e ka marrë në vitin 2017. Drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo rrugë nuk ka asnjë parametër për rrugë nacionale, ndërsa nuk dijnë ku shkojnë taksat e tyre që i paguajnë shtetit.
Firmës mirëmbajtëse të kësaj rruge “Geci & Bioliap” i përfundon kontrata me 11 Shkurt, vetëm pas pak ditësh, pasi e mori atë 5 vite më parë me një fond prej 19.2 milion euro, lotin 2 të rrugës Qendër Verilindje.