Thellohet çarja në rrugën e Arbrit në fshatin Plan i Bardhë
Segmenti i rrugës së Arbrit në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë së Klosit rrezikon të bllokohet për shkak të dëmtimit që ka pësuar në një gjatësi të konsiderueshme. Rrëshqitja e tokës dhe murit mbrojtës ka vënë në rrezik gjithë trupin e rrugës së Arbrit, pasi çarja është thelluar akoma më shumë. Problemet në këtë segment të rrugës së Arbrit kanë nisur me reshjet e shumta të shiut të rëna në fillim të këtij viti ndërsa deri tani nuk është marrë asnjë masë. Banorët e fshatit Plan i bardhë thonë se nëse nuk ndërhyhet shpejt, atëherë rruga jo vetëm rrezikon të shembet por probleme do të kenë edhe tokat që ndodhen poshtë saj. Beqir Suldisha thotë se çdo ditë thellohet çarja e anës së poshtme të rrugës dhe nëse do të ketë reshje shiu në këtë periudhë, e gjithë rruga rrezikon të bëhet e pakalueshme. Duke qenë i zonës, Beqir Suldisha është i mendimit se aty duhej të ishin ndërtuar pilotë në mënyrë që të mos kishte shembje të tilla. Probleme të tilla kjo rrugë ka patur në disa segmente gjatë muajve të fundit, sidomos në segmentin nga tuneli Murrizit deri tek tuneli numër 2 në fshatin Shkallë të Xibrit.