
Liqeni i Ulzës ka marrë pamjen e një rezervuari ditët e fundit. Mungesa e reshjeve të shiut dhe rënia e ndjeshme e prurjeve të lumit Mat kanë bërë që niveli i ujit të zbresë në pikën më minimale.
Jashtë kameras, banorët thonë se kjo situatë është për shumë arsye. Sipas tyre, ajo kryesorja mbetet shfrytëzimi në maksimum i ujit për prodhim energjie nga Hidrocentrali i Ulzës. Kompania që menaxhon këtë HEC ka bërë shfrytëzim pa ndërprerje të ujit për prodhim rryme, në vend që ta bënte gtradualisht dhe situata në këtë periudhë të mos ishte kjo që është sot. Një tjetër arsye është mungesa për një kohë të gjatë e reshjeve të shiut.
Rënia e prurjeve të lumit Mat lidhet edhe me përdorimin e ujit të këtij lumi për vaditje apo të burimeve të tjera që furnizojnë këtë lum.
Specialistët e peshkimit paralajmërojnë se nëse situata do të vijojë kështu për një kohë të gjatë, atëherë pasoja do të ketë edhe te gjallesat ujore që jetojnë në këtë liqen. Kjo për faktin se rriten ndjeshëm temperaturat e ujit, ku për disa kategori gjallesash mund të jenë fatale.