Një tërmet me magnitudë 3.9 i shkallës rihter është ndjerë pasditën e kësaj të marte në vendin tonë. Epiqendra e këtij tërmeti ka qenë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Lëkundjet janë ndjerë edhe në zona të tjera, por më të fuqishmet kanë qenë në fshatrat e Xibrit, vetëm 6 kilometra larg qytetit të Klosit. Ende nuk ka raportime për dëme në banesa apo ndërtesa të tjera, ndërsa banorët janë të trembur nga lëkundjet. Drejtues të Zyrës së Mbrojtjes Civile pranë Bashkisë Klos thanë se po marrin kontakte me banorët e Njësisë Xibër, për të zbuluar nëse ka patur dëme nga këto lëkundje. Fiks dy vite më parë, një tërmet i shkallës 5.8 rihter përfshiu edhe këtë zonë duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, kryesisht në banesa të vjetra, por fatmirësisht pa viktima.