Deri në orët e pasdites nga verifikimet e bëra nga grupet në terren rezulton se janë 3 shtëpi të pabanueshme, tre godina arsimore të dëmtuara dhe një objekt kulti. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se gjatë ditës së sotme zyrtarisht janë dhënë 110 raportime për dëme nga tërmeti.

Sipas tij, qytetarët kanë raportuar të gjitha dëmtimet, por që çdo pretendim do të verifikohet nga grupet e konstatimit në terren. Gjithashtu, Kryebashkiaku Malaj iu bëri apel banorëve të mos abuzojnë me raportimet për dëme, nëse ata nuk kanë apo nëse banesat kanë qenë të pabanueshme që nga tërmeti i vitit të kaluar e pronarët janë dëmshpërblyer.

Nga ana tjetër Malaj tha se Bashkia Mat është solidarizuar edhe me Thumanën që ka qenë një ndër zonat më të dëmtuara duke dërguar atje ekipin e Zjarrfikses.