E përditshmja italiane “Corriere Della Sera” i ka kushtuar një artikull shqiptarëve, shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve me titull: Tërmeti bashkon isharmiqtë. “Ata janë bërë bashkë duke gërrmuar krah për krah nëpër rrënojat e Durrësit dhe Thumanës në kërkim të një mrekullie e cila duket gjithnjë e më e pamundur.
Saktësisht njëzet vjet pas luftës në Kosovë, ish-Jugosllavia u duk thuajse e plotë përsëri, për herë të parë pas shpërbërjes së saj të përgjakshme. Në emër të solidaritetit, Ballkani është bashkuar, qoftë edhe vetëm për disa ditë, në përpjekje për të dhënë ndihmën e tyre pas tërmetit që goditi Shqipërinë”shkruan Corriere della Sera.
“Që prej së martës, ekipet e shpëtimit të dërguara nga Prishtina, Beogradi, Tirana, Zagreb dhe Shkup, takohen përgjatë rrugëve dhe lagjeve të tronditura në Shqipëri. Zjarrfikësit, ushtarët, qentë e kërkimi, ekipe me uniforma dhe flamuj të ndryshëm, janë përpjekur nëpër rrënoja të nxjerrin gjallë njerëz.
Ata mund të mos bëhen vëllezër, por kanë bashkuar forcat drejt një qëllimi të përbashkët”-shkruan më tej gazeta italiane. “Askush nuk ka patur probleme – sigurojnë ata – në fakt, mbase kjo është koha për t’u bërë miq”. Ata shprehen se “Ndonjëherë jemi të burgosur nga paragjykimet tona”-shkruhet më tej në artikull. /balkanweb/