Tentativë për rifillimin e punimeve, banorët e Kurdarisë bllokojnë sërish makineritë e HEC “Doma”
Mjete të kompanisë ndërtuese kanë tentuar të rifillojnë punimet për projektin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës në Klos. Sipas banorëve, makineritë kishin arritur të kryenin rreth 50 metra punime në terren, kryesisht për hapjen e gjurmës së projektit. Sapo u konstatuan mjetet që po ngjiteshin drejt zonës së punimeve në orët e para të mëngjesit, banorët dolën nga banesat e tyre dhe bllokuan makineritë, duke mos lejuar vijimin e punës. Ngjarja ndodhi në fshatin Kurdari, ku u mblodhën menjëherë banorët që ndodheshin në zonë në atë moment. Sipas tyre, tentativa e sotme ishte e papritur, pasi prej muajsh ata kishin arritur të ndalonin çdo përpjekje për të hyrë në terren. Situata u tensionua për disa minuta, ndërsa pas njoftimit të policisë në vendngjarje mbërritën shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat. Banorët bëjnë me dije se policia shoqëroi disa persona, ndërsa mjetet e kompanisë u detyruan të largohen nga zona. Banorët shprehen se ndërhyrja e tyre ka qenë paqësore dhe vetëm me qëllim ndalimin e punimeve, duke theksuar se nuk do të lejojnë zhvillimin e projektit pa u zbardhur çështja në rrugë ligjore. Ata deklarojnë se prej muajsh kanë qëndruar në terren për të mos lejuar makineritë e kompanisë të kryejnë punime, duke e konsideruar projektin të rrezikshëm për jetesën e tyre dhe për mjedisin. Kjo përplasje e sotme vjen në vijim të një konflikti të gjatë mes banorëve dhe shoqërisë ndërtuese për ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës. Banorët e zonës kanë ngritur padi ndaj institucioneve përgjegjëse dhe kompanisë, duke kërkuar pavlefshmërinë e vendimeve të këshillit bashkiak, kontratave të lidhura me shoqërinë ndërtuese dhe lejeve të ndërtimit, si dhe pezullimin e punimeve deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Ata pretendojnë se projekti është miratuar pa një proces të rregullt konsultimi publik dhe se komuniteti nuk është përfshirë në vendimmarrje, siç parashikon ligji. Sipas banorëve, ndërtimi i hidrocentralit rrezikon burimet ujore që përdoren për vaditje dhe për furnizim me ujë, duke vënë në rrezik tokat bujqësore, pemtarinë dhe blegtorinë, që përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave për familjet e zonës. Ata theksojnë se devijimi i rrjedhës së lumit do të ndikojë drejtpërdrejt në prodhimin bujqësor dhe në qëndrueshmërinë e jetesës në fshat. Në zhvillimet e mëparshme, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar në tërësi padinë e paraqitur nga banorët kundër projektit të hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës. Me këtë vendim, trupi gjykues ka vlerësuar se pretendimet e banorëve nuk përbëjnë shkak ligjor për shfuqizimin e akteve administrative dhe ka lënë në fuqi lejet e dhëna për projektin. Pas këtij vendimi, banorët e zonës dhe përfaqësuesit e tyre ligjore e kanë dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Apelit, ndërsa banorët kanë deklaruar se do të vijojnë kundërshtimin dhe nuk do të lejojnë rifillimin e punimeve. Gjatë muajve të fundit, tensionet në terren janë shoqëruar me bllokime të mjeteve të kompanisë, shoqërime në polici dhe procedime ndaj disa banorëve që kanë kundërshtuar punimet. Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë rezistencën dhe nuk do të lejojnë asnjë ndërhyrje tjetër në terren. Burimi/Bulqiza ime