Tensione në Bulevard: Policia Ndërhyn në Protestën e Adriatik Lapaj, Një Aktivist Shoqërohet

Tensione në Bulevard: Policia Ndërhyn në Protestën e Adriatik Lapaj, Një Aktivist Shoqërohet

Mbrëmjen e sotme janë shënuar tensione në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku aktivistë dhe mbështetës të Adriatik Lapaj po protestonin përpara godinës së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Situata u tensionua kur forca të policisë ndërhynë për të larguar kartonët, karriget dhe sendet e tjera që protestuesit kishin vendosur në trotuar. Një numër i konsiderueshëm efektivësh i kanë prishur strukturat e improvizuara dhe kanë marrë sendet, duke i ngarkuar në një mjet të policisë për t’i larguar nga zona.

Në një moment, ndërsa kryeministri Edi Rama është larguar nga ambientet e Kryeministrisë, protestuesit e grumbulluar në bulevard kanë thirrur në kor slogane kundër tij, “Edi Rama o hajdut”.

Gjatë ndërhyrjes së policisë është shoqëruar në komisariat një prej aktivistëve. Pas këtij momenti, zoti Lapaj së bashku me mbështetësit e tij janë drejtuar drejt Komisariatit të Policisë Nr. 1, ku ndodhet aktualisht edhe vetë Lapaj.

Protesta e tij ka nisur më 8 dhjetor, kur Lapaj vendosi të qëndrojë në mënyrë simbolike në bulevard përpara zyrës së kryeministrit. Më pas atij iu bashkuan mbështetës të lëvizjes së tij politike “Shqipëria Bëhet” dhe aktivistë të tjerë.

Edhe këtë mbrëmje, ndërhyrja e policisë për të larguar materialet e vendosura nga protestuesit ka shkaktuar tensione, ndërsa situata është zhvendosur përpara Komisariatit nr.1, ku mbështetësit e Lapajt po vijojnë të qëndrojnë në shenjë proteste.