Si mbrëmjen e së hënës edhe gjatë natës së të martës pritet që termometri të zbresë disa gradë nën zero. Në orët e para të së martës pati sërish reshje bore deri 900 metra mbi nivelin duke bërë që shumë fshatra në të gjithë Qarkun Dibër të zbardhen nga bora. Fshatrat e Bulqizës dhe Dibrës patën më shumë prezencë reshjesh deri rreth orës 10:00 të paradites. Por rënia e temperaturave gjatë natës për fermerët është problem shqetësues si rezultat i krijimit të ngricave. Banorët e këtyre fshatrave shprehen se nëse do të ketë prani të ngricave atëherë shumë kultura bujqësore do të kenë shumë pak ose aspak prodhim edhe për këtë sezon.
Nga ana tjetër, fermerët shpresojnë që kushtet atmosferike të mos kenë luhatje ekstreme të temperaturave në ditët në vijim për shkak se dëmet mund të jenë akoma edhe më të mëdha.