Temperaturat ekstreme, dyndje në lumin Mat
Temperaturat ekstreme të këtyre ditëve kanë bërë që dhjetra banorë të zonës t’i drejtohen rrjedhës së lumit Mat për të kaluar orët e nxehta të ditës. Që nga Klosi e deri në Zenisht, të rinj e familjarë kanë zgjedhur ujin e freskët të lumit për t’u çlodhur dhe për të përballuar të nxehtin përvëlues të gushtit.
Frekuentuesit janë të grupmoshave të ndryshme – nga fëmijë e të rinj, deri te të rritur e familje të tëra – të cilët kanë zgjedhur pika të ndryshme të brigjeve të lumit për të kaluar orë të gjata, shpesh deri në orët e vona të pasdites.
Sipas banorëve, kjo është mënyra më e mirë për të shmangur vapën ektreme, pasi ofron jo vetëm freskim natyral, por edhe një zgjidhje me kosto minimale. Shumë prej tyre thonë se afërsia me banesat dhe mundësia për të kombinuar pushimin me aktivitetet e përditshme të jetës, e bën lumin e Matit destinacionin e preferuar të verës.
Lumi Mat ka qenë gjithmonë një pjesë e pandarë e jetës së banorëve të luginës së Matit. Për dekada me radhë, ai ka shërbyer jo vetëm si burim uji për larje gjatë verës, por edhe si vend socializimi për komunitetin.
Në ditët e fundit, përveç banorëve të zonës, janë shtuar edhe turistë, të cilët tërhiqen nga natyra e paprekur, uji i pastër dhe qetësia që ofron kjo zonë, duke e kthyer lumin e Matit në një atraksion veror në rritje.