Temperaturat e larta, mjekët këshillojnë të tregohet kujdes

Temperaturat e larta, mjekët këshillojnë të tregohet kujdes

Temperaturat kanë arritur vlera shumë të larta gjatë ditëve të fundit duke i krahasuar me periudhën në të cilën ndodhemi. Duke qenë se vlerat janë jashtë normales, mjekët këshillojnë të tregohet shumë kujdes sidomos nga të sëmurët kronik dhe të moshuarit. Po aq të rriskuar nga temperaturat ekstreme janë edhe fëmijët, kryesisht nën moshën 6 vjeç.

Qëndrimi i tepërt në diell sidomos në pikun e vapës mund të krijojë probleme dermatologjike por edhe të tjera. Nisur nga pasojat, mjekët rekomandojnë konsum të bollshëm të ujit gjatë ditës, edhe në mungesë të ndjesisë së etjes, për të shmangur dehidratimin. Qytetarët këshillohen gjithashtu të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00.

Ushqimi duhet të jetë i lehtë dhe i pasur me lëngje, si fruta dhe perime të freskëta. Rekomandohet gjithashtu përdorimi i kremrave mbrojtës për lëkurën dhe veshja me rroba të lehta, me ngjyra të çelura.

Nga ana tjetër, mjekët dermatolog këshillojnë që të mos neglizhohen problemet që mund të vijnë nga qëndrimi në diell si ndryshimi i ngjyrës së lëkurës apo kruajtja e trupit. Të gjithë këta persona duhet të paraqiten tek mjeku specialist për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.