
Banorët e fshatit Shkallë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit shfrytëzojnë rrugën e Arbrit për të shitur prodhimet e tyre bujqësore. Duke qenë se kjo rrugë kalon përmes fshatit, banorët kanë përfituar favore, por edhe disfavore pasi një pjesë e tyre nuk kanë më rrugë automobilistike për të shkuar tek banesa si pasojë e barrierave të vendosura në rrugën e Arbrit.
Bajram Rama është një nga banorët e Shkallës i cili për të siguruar sadopak të ardhura ekonomike për familjen e tij prej 6 anëtarësh, del çdo ditë në rrugë për t’i shitur. Por ai është i vetëdijshëm se në mungesë të hapsirave jashtë rrugës, rrezikon teksa qëndron në xhade. Bajrami kërkon që Bashkia e Klosit të ndërtojë një shesh tregtimi në afërsi të rrugës së Arbrit në mënyrë që të gjithë bashkëfshatarët e Shkallës dhe jo vetëm, të mund të shesin prodhimet e tyre pa ju rrezikuar jeta.
Një tjetër problematikë që vijon të ngrihet nga banorët e fshatit Shkallë në Bashkinë e Klosit janë edhe nënkalimet për të dalë nga njëra anë në tjetrën të rrugës së Arbrit. Por problemi më i madh mbetet siguria e fëmijëve që shkojnë në shkollë në qendër të Njësisë Administrative Xibër, pasi nuk janë aspak të sigurtë kur u duhet të ecin në të njëjtën hapsirë me automjetet që qarkullojnë në rrugën e Arbrit.