
Mosha e tretë që frekuenton qendrën e të moshuarve në Dibër, ankohet për kushtet që kanë në këtë qendër. Sipas frekuentuesve të saj, në qendrën ku ata kalojnë pothuajse pjesën më të madhe të ditës mungojnë kushtet bazike siç janë ato higjenosanitare, pasi nuk funksionon sistemi hidraulik. Po ashtu të moshuarit shprehen se në qendrën e ngritur pak vite më parë nuk ka një sanitare dhe pastrimin e saj e bëjnë vetë. Dikur në këtë qendër të moshuarit konsumonin edhe një kafe apo çaj, por sot ky shërbim nuk merret pasi ekspresi nuk funksionon. Të vetmen ndihmë që marrin sipas frekuentuesve të kësaj qendre është ajo nga Kryqi i Kuq Shqiptar dega Dibër. Për këta të moshuar më shumë është kujdesur ky institucion sesa Bashkia Dibër. Të Moshuarit i bëjnë apel pushtetit vendor që ta kthejë vëmendjen edhe nga ata pasi janë një shtresë e shoqërisë që kërkon përkujdesje dhe kushte të mira sidomos në këtë qendër që kalojnë kohën e lirë me njëri – tjetrin.
Qendra e të Moshuarve në Dibër ndodhet në godinën e Pallatit të Kulturës së qytetit të Peshkopisë, por edhe pse në një institucion të tillë, gjendja brenda qendrës lë për të dëshiruar.