Të dielën, derbi i Qarkut Dibër, Burreli vs Korabi
Të dielën do të luhen tre nga gjashtë ndeshjet e javës së 23 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që ndeshjet e së dielës të jenë mes Burrelit dhe Korabit, Kastriotit dhe Apolonisë dhe Ilirisë e Besës. Ndërkohë, ndeshjet e tjera janë luajtur të shtunën mes Pogradecit dhe Lushnjës, Laçit dhe Luftëtarit si dhe Skënderbeu – Kukësi. Matjanët kanë një sfidë të vështirë pasi përballë do të kenë ekipin e Korabit, një përballje e tillë është cilësuar gjithmonë si një derbi për shkak se të dyja skuadrat janë brenda të të njëjtit qark. Megjithatë, në kampin matjan ka optimizëm që kjo ndeshje do të përfundojë në favorin e tyre me pikë të plota. Qendërmbrojtësi i skuadrës matjane Redinel Gjikola, tha se ekipi është përgatitur intensivisht gjatë gjithë javës për ta fituar këtë përballje. Ndeshja mes Burrelit dhe Korabit do të luhet të dielën në orën 13 e 30 minuta në stadiumin “Liri Ballabani”. Klubi i Futbollit Burreli i bën thirrje tifozërisë matjane që nesër të mbushin shkallët e stadiumit për t’i dhënë mbështetje të fortë djemve të futbollit matjan në fushën e gjelbër.