Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Skavica është një projekt historik, për pavarësinë energjetike të Shqipërisë.
Në fjalën e tij në Kuvend, Balla replikoi edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha, duke u shprehur se, “ikën sa herë që unë marr fjalën. Ka 16 vite që jam këtu po gjithmonë këtë kemi pasur si marrëveshje, kur unë çohem, Saliu ikën. Edhe sot bëri të njëjtën gjë. Edhe që e ka bërë për disa seanca. Por mendoj që deputetët e Dibrës, pa asnjë dallim, deputetët e vërtetë të Dibrës të PS-së dhe PD-së, kanë sot mundësinë që së bashku të mbajnë një qëndrim për këtë çështje. Dhe do ta sqaroj arsyen përse ai nuk ka hallin e dibranëve. As hallin e mikroklimës së Skavicës, as hallin e tokave që mund të përmbyten nga Skavica”.
“Më 3 tetor të vitit 2020 Nënsekretari amerikan për Rritjen Ekonomike dhe Energjinë, Keith Krach ishte në Shqipëri për të firmosur një memorandum bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA. Në të njëjtën ditë, në praninë e zyrtarëve më të lartë shqiptarë dhe amerikanë, ne kemi firmosur një memorandum bashkëpunimi me SHBA në fushën ekonomike dhe të energjisë gjithashtu. Dhe në atë ditë kemi firmosur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë ndër më të mëdhatë në infrastrukturë në Amerikë, Bechtel, një memorandum bashkëpunimi, pikërisht për një ëndërr si Skavica. Për çdo shqiptar që ka dy pare mend, në fushën e mirëpërdorimit të burimeve tona natyrore dhe të energjisë së gjelbër kemi firmosur këtë bashkëpunim”, theksoi Balla.
“Saliu, të dashur miq, nuk e ka hallin fare, as tek populli i zonës së Dibrës. E ka për t’iu kundërvënë SHBA. Kjo prirje, 3 seanca rresht, unë po vrisja mendjen. E tha një herë, thashë dakord, e tha dy herë, thashë dakord. Ky nuk e ka hallin. Ky çdo gjë që mban emrin amerikane, do të jetë kundra. Prandaj unë do t’i bëja një thirrje deputetëve të PD-së të qarkut Dibër që bashkë me deputetët e PS-së të Dibrës, të mbani një qëndrim të përbashkët. Investimet amerikane në Shqipëri janë investime strategjike. Kushdo që do t’i kundërvihet investimeve amerikane në Shqipëri nuk e ka hallin e zonës respektive ku bëhen”, u shpreh Balla.
“Skavica është një projekt historik, për pavarësinë energjetike të Shqipërisë, për sigurinë e digave të Shqipërisë”, tha Balla, i cili shtoi se, “kush është marrë me digat e gjithë Drinit e di fare mirë që pa Skavicën ne kurrë nuk do të kishim, për shkak të rregullatorit që luan ky”.
“Të vazhdojë një hije që vjen 30 vjet këtu dhe të risjellë në Kuvendin e Shqipërisë, gjoja hajde shkojmë bashkë aty dhe t’i sqarojmë. Ku ka lidhje ai me ata. Ai po të kishte lidhje me Dibrën do kishte vënë qoftë edhe një gur të vetëm tek rruga e Arbrit. Rrugën e Arbrit e bëri PS, e bëri Edi Rama. Dhe ky është investimi më i rëndësishëm dhe Skavica është investimi i dytë super i rëndësishëm, për Shqipërinë, për Dibrën dhe për sigurinë energjetike të Shqipërisë. Prandaj, ky shfrytëzim i kësaj foltoreje për të sulmuar marrëveshjet dhe bashkëpunimin me SHBA-të. Ne kemi marrëveshje. Kemi firmosur një marrëveshje me SHBA-të për këtë çështje. Dhe del një antiamerikan si Sali Berisha këtu dhe thotë që kjo nuk bën, se duhet të çojmë popullin në protestë atje. Madje të jeni të sigurt se do dalë edhe në protestë atje. Kundër kujt? Kundër diçkaje që është në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Dhe natyrshëm është konfirmim i marrëdhënieve tepër të mira në karakterin politik, që tashëm po transformohen në marrëdhënie të shkëlqyera në karakterin ekonomik dhe politik. Na rrofshin marrëdhëniet politike, nëse ato nuk shndërrohen në marrëdhëniet ekonomike. Ky është parimi sot”, theksoi Balla.
“Dhe teksa sot gjithë bota dhe vëmendja është në një konflikt me kërcënimin e lirisë dhe demokracisë sikurse është Rusia, kemi këtu një fjalim antiamerikan, nga ish-kryeministri dhe ish-presidenti i këtij vendi. Kjo është e rëndë dhe tregon dhe degradimin mendor të këtij personi. Kjo vjen pastaj edhe pas një, duhet ta themi troç, edhe deklaratës së ambasadores amerikane lidhur me kandidatët që zotëria sponsorizon në këto zgjedhje. Që nuk janë kandidatë të një partie. Këta janë kandidatë personalë të një individi që kërkon të marrë një thes me vota për t’ia kundërvënë SHBA-ve. Mos kujtojë ndonjëri që do fitojnë kandidatët e Saliut. Saliu nuk do kandidatë të fitojnë. Saliu ka nevojë të fitojë disa vota dhe t’u thotë që ja ku jam”, u shpreh Balla.
ATSH