Takim pas një gjysmëshekulli, maturantët e ish-gjimnazit “Haki Fejzo” ribëhen bashkë

Takim pas një gjysmëshekulli, maturantët e ish-gjimnazit “Haki Fejzo” ribëhen bashkë

Gjimnazi “Pjetër Budi”, që dikur mbante emrin “Haki Fejzo”, ka pritur këtë të shtunë brezin e maturantëve të viteve 1974 – 1975 pas një gjysmëshekulli. Më shumë se 40 ish-maturantë e mësues të tre paraleleve u bënë bashkë për të rikthyer pas 50 vitesh emocionet e mësimdhënies së atyre viteve. Brezi i maturantëve të ’75-s, hyn në klasë jo vetëm me moshën e rritur mbi supe, por edhe me profesionet që zgjodhën më pas në jetë. Të mbledhur nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë por edhe vende të ndryshme të botës ku ata i ka përplasur jeta pas rënies së regjimit monist, ish-maturantët shkëmbyen përvoja, kujtime e përqafime dhe u çmallën me njëri – tjetrin. Njëri nga nismëtarët e grupit organizator të këtij takimi pas një gjysmëshekulli, ish-mësuesi i pensionuar, intelektuali Kasem Muça tha se tashmë kjo ditë do të mbetet gjatë në memorien e gjithësecilit.

Ish-maturantja Nafie Allmeta Jella kishte përgatitur një videomontazh me fotografi të 50 viteve më parë që ishin ruajtur nga shokët dhe shoqet e klasës së saj.

Për ish-mësuesin e Fizikës, Bojko Themelko, ato vite kanë qenë të arta për të, pasi si mësues i ri që ishte nxënësit i kishte edhe shokë e shoqe për shkak të moshës së përafërt. Rikthimin për tu takuar sërish me ta e ka pritur me dëshirë të madhe.

Këtë ritakim pas 50 vitesh ish-maturantët e Gjimnazit “Pjetër Budi” që dikur mbante emrin “Haki Fejzo”, e përdorën për lënë mes tyre edhe takime të tjera të hapura.