Superliga mban “peng” edhe kategorinë e parë

0
8

Kampionati shqiptar i futbollit duhej të kishte nisur dy javë më parë, por ende nuk ka qoftë edhe datë se kur mund të rinisë. Kjo ka ardhur si rezultat i bojkotit të kampionatit nga ana e të gjitha ekipeve të kategorisë superiore. Tentativat e qeverisë për të arritur një marrëveshje mes tyre dhe drejtuesve të ekipeve të superligës kanë dështuar deri tani.
Ata i kanë parashtruar qeverisë disa kërkesa si uljen e TVSH-së në masën 6%; faljen e gjobave dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura; efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite; të miratohet ligji i vërtetë i sponsorizimeve etj.
Ky ngërç mes Ligës Profesioniste të Futbollit dhe qeverisë, ka mbajtur peng edhe garën në kategorinë e parë e kategoritë e tjera. Ndonëse kampionati duhej të kishte nisur më shumë se 2 javë më parë, deri tani nuk ka as datën se kur ekipet do të zbresin në fushë. Ndërkohë një tjetër problematikë është edhe ajo e përbërjes së grupeve ku ka disa variante për kategorinë e parë, të jetë me dy grupe apo një grup me 16 skuadra.
Gjithsesi, Burreli është i gatshëm për të nisur garën, duke e pritur atë me entuziazëm.