Sulm Kibernetik në Kuvendin e Shqipërisë: Të Dhëna të Fshira, Por Sistemet Kryesore S’preken
Një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të Kuvendit të Shqipërisë është konstatuar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, duke ngritur dyshime për një sulm të sofistikuar kibernetik.
Në një reagim publik, Kuvendi bëri me dije se gjatë verifikimeve fillestare është vënë re se një pjesë e informacionit është fshirë nga disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës. Vlerësimi paraprak teknik sugjeron se sulmi mund të ketë pasur si qëllim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme të institucionit.
Autoritetet sqarojnë se, bazuar në analizat e para, infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur dhe funksionimi i sistemeve thelbësore vijon normalisht. Po ashtu, faqja zyrtare e Kuvendit dhe shërbimet e tjera që mbështesin aktivitetin e institucionit janë aktive dhe funksionale.
Menjëherë pas konstatimit të incidentit, janë marrë masa urgjente për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ekipet teknike po punojnë intensivisht për rikuperimin e të dhënave të fshira nga llogaritë e prekura.
Për hetimin e rastit është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore, e cila po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, si dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, partnerët ndërkombëtarë kanë ofruar mbështetje teknike dhe komunikimi po vijon për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm.