Suç, banorët kundërshtojnë ndërtimin e HEC-eve
Banorët e fshatrave të Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit prej disa ditësh protestojnë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në përroin e njohur si “Lusa”, që nis nga mali i Balgjajt e deri në lumin e Matit.
Prej disa ditësh banorët janë përballur me firmën e cila ka nisur punën për shtrimin e tubacioneve që do të furnizojnë me ujë hidrocentralin e planifikuar të ndërtohet në këtë zonë.
Dhjetra banorë kanë shkuar çdo ditë në objektin ku ka nisur puna dhe kanë kërkuar që ajo të ndërpritet. Pak ditë më parë, banorët e Kurqelajve, Kurdarisë, Skënderajve, Suçit, Kujtimit etj., u mblodhën në Suç ku vendosën që të mos lejojnë kompaninë të përfundojë investimin.
Madje këtë të premte, në kantierin e ndërtimit, sipas policisë u shënua edhe një përplasje fizike mes banorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë. Katër të rinj u proceduan penalisht pasi u mbajtën për disa orë në ambjentet e komisariatit të policisë Mat, ndërsa u lanë të lirë në orët e vona të natës.
Ndërkohë, një tjetër protestë është zhvilluar këtë të shtunë në kantierin e ndërtimit. Banorët vijuan rezistencën e tyre në terren për të mos lejuar firmën që të avancojë me punimet, ndërsa paralelisht kanë nisur edhe një betejë institucionale.