“Subvencione gjithëpërfshirëse”, kërkohet nga banorët e fshatrave
Teksa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po zhvillon dëgjesa publike me fermerët në kuadër të hartimit të skemës mbështetëse për vitin 2026, banorët e zonëve rurale që kanë pak krerë bagëti apo pak tokë bujqësore kërkojnë gjithëpërfshirje. Duke qenë se në vitet që lam pas kriteret kanë qenë përjashtuese për fermerët e vegjël apo për fshatarët që kanë pak krerë bagëti apo tokë bujqësore, këta të fundit kërkojnë mbështetje nga shteti. Ata thonë se në këtë mënyrë mbështetja bëhet e drejtë dhe se i jepet mundësia secilit të shtojë fermën e tij, pasi e kanë të pamundur të investojnë direkt për të plotësuar kriteret e një fermeri të madh. Gëzim Troci, nga fshati Kurdari i Njësisë Administrative Suç në Bashkinë Klos, thotë se nëse do të bëhet ndarja gjithëpërfshirëse atëherë të gjithë do të mendojnë për zhvillimin e fermës. Ai ka aktualisht vetëm 16 krerë dele, por nuk përfiton asnjë subvencion nga shteti. E njëjta gjë sipas Trocit ndodh edhe me mbështetjen e naftës. Për të përfituar subvencion në blektori një fermer duhej të kishte të paktën 100 krerë, ndryshe nuk përfshihej në skemën e mbështetjes nga shteti.