
Moti vijon të jetë i paqëndrueshëm në Qarkun Dibër. Gjatë mbrëmjes së kaluar dhe ditës së sotme reshjet e shiut janë shoqëruar me erë të fortë e cila ka krijuar probleme kryesisht në furnizimin me energji elektrike në zonat urbane dhe ato rurale.
Për shkak të erës së fortë janë këputur telat rrympërcjellës dhe shtyllat elektrike. Grupet e OSHEE kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren për të riparuar avaritë, duke sfiduar edhe erën e fortë dhe reshjet e shiut. Sipas OSHEE në rreth 70% e zonave problematike është rikthyer energjia ndërsa po punohet në zonat malore.
Probleme sporadike pati edhe në rrugët nacionale që lidhin Qarkun Dibër me Tiranën apo Lezhën.
Ndërkohë, era e fortë ka shembur disa pisha në qytetin e Burrelit por fatmirësisht nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz dhe as dëme materiale. Punonjësit e Shërbimeve Bashkiake kanë dalë në terren që në orët e para të mëngjesit duke bërë largimin e pemëve që kishin rënë në rrugë e trotuare.
Bashkia e Matit ka vënë në dispozicion të qytetarëve kontaktet e administratorëve të njësive, drejtuesve të drejtorive në varësi që për çdo problem të shkaktuar nga moti të kontaktojnë menjëherë.
Sinoptikanët parashikojnë që situata të vijojë deri në fillim të javës së ardhshme ndaj dhe kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve.