Këtë vit shkollor nxënësit do të futen në shkolla në kushte si asnjëherë më parë. Situata e krijuar nga pandemia Covid-19 ka diktuar rregulla strikte për tu zbatuar në institucionet arsimore. Kushti kryesor është higjena dhe furnizimi me ujë. Këto janë ambjentet e shkollës 9 – vjeçare “Hajrulla Tollja” në fshatin Strikçan të Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës. ndonëse na ndajnë rreth 10 ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, situata është e tillë. Tualetet janë jashtë çdo standarti higjenik ndërsa ujë nuk ka patur asnjëherë. Prindërit që sjellin fëmijët në këtë shkollë janë të revoltuar dhe kërkojnë që të plotësohen kushtet e nevojshme, sidomos për tualetet pasi janë një burim i rrezikshëm infeksionesh.
Në të njëjtën situatë është edhe godina e kopshtit, pak metra larg shkollës 9-vjeçare. Edhe këtu mungojnë tualetet dhe uji, ndërkohë që fëmijët pritet të hyjnë në klasa ditën e hënë. Drejtues të Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë e Bulqizës thanë se në këtë shkollë po ndërhyhet për rivënien në funksion të tualeteve. Sipas tyre, data 14 Shtator do ta gjejë këtë shkollë me ujë pa ndërprerje dhe tualehete higjenike.