Ka shkuar në më shumë se 5000 qytetar të vaksinuar procesi i vaksinimit të qytetarëve në Bashkitë Mat e Klos. Drejtues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat, thanë se procesi ka vijuar normalisht në të gjitha qendrat shëndetësore të përcaktuara si pika vaksinimi. Grupet e përcaktuara për tu vaksinuar të parat, njoftohen nga mjekët e familjes dhe paraqiten për të marrë dozën e vaksinës. Ndërkohë, në Qarkun Dibër ka rënë ndjeshëm edhe numri i rasteve aktive të qytetarëve të infektuar me Covid-19. Nga raportimet e ministrisë së shëndetësisë dhe mirëqënies sociale një ditë më parë, ky numër është vetëm 12 qytetar, ndërsa nuk ka patur asnjë rast të ri. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Në rang vendi që nga fillimi i pandemisë janë shënuar 132071 të infektuar ku 126 405 prej tyre janë shëruar, 3230 janë aktualisht raste aktive dhe 2436 qytetar kanë humbur jetën.