Në Qarkun Dibër aktualisht 11 mësues janë të karantinuar si të infektuar ose kontakte të të infektuarve. Në Bashkinë Dibër 3 mësues, në Bashkinë Mat 4, Bashknë Klos 2 dhe në Bashkinë Bulqizë 2 mësues. Të gjithë mësuesit janë zëvendësuar nga ZVA përkatëse. Ndërkohë mësohet se i infektuar me Covid-19 është edhe Shefi i pavionit të Patologjisë në spitalin Rajonal Dibër, mjeku Ibrahim Kazija. Aktualisht ai po mjekohet në shtëpi.
Ndërkohë një ditë më parë në Mat u zbuluan 8 raste të reja me Covid -19, 3 raste në Bulqizë dhe 1 rast në Dibër. Për fat të keq të dielën pati një humbje jete të një 56 vjeçareje nga Dibra.
Qarku i Dibrës mbetet me numrin më të vogël të të infektuarve në rang vendi jo vetëm në personel arsimor por edhe në të prekur të tjerë. Aktualisht numërohen 144 të infektuar në Qarkun Dibër numri më i ulët momentalisht që e mban këtë qark me ngjyrë të verdhë për nga numri i infektimeve.