Spitali Bashkiak Mat, priten mjek të rinj specialist

Spitali Bashkiak Mat, priten mjek të rinj specialist

Shërbimi spitalor në Spitalin Bashkiak “Xhavit Mara”, Mat, pritet të plotësohet gjatë muajve në vazhdim me burime të reja njerëzore e materiale. Duke qenë se në këtë spital mungojnë disa mjekë specialistë prej vitesh, Drejtori i këtij spitali, Erion Bala tha se në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë po bëhet e mundur që specializantët e rinj që mbarojnë këtë vit studimet të vijnë edhe të ushtrojnë profesionin e tyre në spitalin e Burrelit. Bala shtoi se do të mundësohen edhe aparatura të reja të cilat i kanë munguar këtij spitali.

 Godina e pavioneve i është nënshtruar rikonstruksionit, i cili sipas Balës, ka rritur cilësinë e kushteve të shërbimit ndaj pacientëve, por edhe kursimin e energjisë, pasi mbi të janë vendosur një set panelesh diellore.

Po ashtu, Drejtori i Spitalit Bashkiak Mat, Erion Bala, tha se është planifikuar edhe një rikonstruksion total i spitalit dhe përqendrimi i shërbimit në një godinë.

Në spitalin Bashkiak Mat marrin trajtim mjekësor gjithë qytetarët e rrethit të Matit si dhe një pjesë e qytetarëve nga Bulqiza.