
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe me vendim të gjykatës kanë ushtruar kontrolle pasditen e 20 majit në Bashkinë e Klosit.
Mësohet se me vendim të gjyqtarit të posaçëm Erion Çelaj dhe nën drejtimin e prokurorit të posaçëm Elvin Gokaj, janë sekuestruar telefonat e tre drejtorëve të Bashkisë Klos dhe disa personave të tjerë.
Gjithashtu kontrolle janë bërë edhe në banesa e objekte të tjera ku zyrtarët bashkiakë në fjalë mendohet se kanë qëndruar e vepruar. Dyshohet se Prokurorët e SPAK ranë në gjurmë, ndërsa po hetonin një çështje tjetër. Në komunikimet telefonike këta zyrtarë dyshohet se kanë kryer biseda që përbëjnë krime zgjedhore.
Megjithatë, SPAK ende nuk ka dhënë detaje zyrtare nga ky aksion i zhvilluar nga agjentët e Byros Kombëtare të Hetimit të martën në qytetin e Klosit.
Deri tani SPAK ka zhvilluar aksione të ngjashme edhe në disa bashki të vendit tonë, duke nisur nga Vau i Dejës, Kavaja, Elbasani etj.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme në janar të këtij vitit ngriti një task forcë për hetimin e krimeve zgjedhore. Në krye të këtij grupi të posaçëm ishte vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili kishte për qëllim të hetojë veprimtaritë e dyshimta në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.