Rekamë

Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion, (SPAK) është shprehur kundër propozimeve për ndryshime në ligjin për policinë, neni 131, duke i dhënë mundësinë policisë të kryejë përgjime pa miratimin e prokurorisë.

Më herët Prokuroria e Përgjithshme e ka kundërshtuar këtë nismë dhe sugjeron mosmiratimin e neneve dhe projektligjeve të saj. Tashmë edhe SPAK është shprehur kundër këtij ndryshimi në ligj. SPAK thotë se ngritja e Komitetit në varësi të Sandër Lleshajt, është akt antikushtetues, dhe se Prokurori i Përgjithshëm apo drejtuesi i SPAK janë funksionarë të pavarur nga ekzekutivi. Sakaq jep dakordësinë për ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria vetëm për ligjin antimafia.

Në argumentet kundër propozimit për ngritjen e Komitetit Antikrim, SPAK thotë se për përgjimet ambjentale duhet autorizim nga prokurori, se të dhënat e përgjimeve pa autorizim nga ky i fundit janë të pavlefshme, ndërkohë thuhet që s’ka asnjë shpjegim për ndryshimet në këtë nen aktual.

Gjithashtu argumentohet se nuk ka mekanizëm kontrollues mbi policinë, apo referencë ligjore si dhe model mbështetës nga vendet e BE-së. Prokuroria bën apel që të rishikohet dhe të vlerësohet në tërësi neni 131.

“Ndryshimet në ligj cënojnë liritë dhe të drejtat e individëve”, thuhet ndër të tjera në argumentet kundër ndryshimeve në ligj.