Sot dita më e nxehtë, temperaturat ngjiten në 43 gradë. Ministria e Mbrojtjes: Rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet
Dita e sotme do të shënojë vlera të larta të temperaturave, ku sipas të dhënave të shërbimit meteorologjik, temperaturat pritet të arrijnë deri në 43 gradë.
Ministria e Mbrojtjes njofton se, sipas të dhënave të raportuara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile IGJEUM dhe Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Civile të BE-së (ERCC), sot pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit.
Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë tek autoritetet.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, temperaturat më të larta do të ‘prekin’ qarqet si Gjirokastër, Berat dhe Elbasan, ndërsa shifra deri në 41 gradë pritet që të shkojnë edhe në qarkun e Kukësit.