Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka akuzuar sërisht kompaninë Albchrome për largim të pa drejtë nga puna të një tjetër anëtari të këshillit sindikal të kësaj sindikata. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, sindikata thotë se Behar Gjimit, anëtar i Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është hequr për shkak të rolit sindikal që ka patur dhe jo prej shkeljeve kontratës së punës.
“Praktika e ndjekur nga Albchrome sh.p.k, njëjtë si në rastin e Elton Debreshit dhe Beqir Duriçit, është sa e paligjshme aq edhe e padrejtë. Jo vetëm pushimi nga puna, por edhe masa e parë disiplinore ndaj Behar Gjimit më 2 dhjetor 2019, ka qenë e paligjshme, në shkelje të Kodit të Punës dhe kontratës së punës. Këto masa nuk kanë ardhur as për shkak të mungesave, as për shkak të ndonjë shkeljeje të mundshme në vendin e punës, por për fjalimin e mbajtur në shpalljen e sindikatës sonë, më 17 nëntor 2019, dhe angazhimin sindikal” – thuhet në deklaratën e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. nga ana tjetër, sindikata shprehet se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore ndaj kompanisë për largimet nga puna të kryetarit të sindikatës Elton Debreshit dhe dy anëtarëve Beqir Duriçi e Behar Gjimit.