“Skandal mjedisor”/ PD kërkon debat në Kuvend për inceneratorin e Elbasanit - Bota Sot

“Skandal mjedisor”/ PD kërkon debat në Kuvend për inceneratorin e Elbasanit - Bota Sot

Në seancën e sotme plenare, deputetët demokratë kanë sjellë problematikën e shkaktuar nga zjarri katastrofik në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan.

Zheni Gjergji theksoi se ky është një alarm i fortë për gjendjen dramatike të mjedisit, pasojë direkte e dështimit spektakolar të projektit të inceneratorit, i cili nuk ka funksionuar asnjëherë.

Qani Xhafa vuri në dukje se jeta e banorëve të Elbasanit prevalon mbi çdo lloj procedure parlamentare. Ai e përshkroi fushën e mbetjeve si një “metalurgji të dytë” dhe theksoi se një ditë pasi Prokuroria thirri 21 persona për hetime, në vendgrumbullim u vë zjarri. Xhafa paralajmëroi më herët për një katastrofë mjedisore dhe i bëri thirrje qeverisë që të bllokojë vendgrumbullimin dhe të gjejë një vend të përshtatshëm për mbetjet.

Jorida Tabaku njoftoi se ka drejtuar një komision hetimor dhe në emër të grupit të PD kërkoi një debat parlamentar për ngjarjet në Elbasan. Ajo theksoi se diskutimi filloi në 2017, por sot po përballen me faktin që asnjë nga inceneratorët nuk punon. Tabaku kërkoi që Ministria e Financave të japë llogari për pagesat e inceneratorëve dhe e quajti situatën një skandal mjedisor që po agravon.

Elisa Spiropali u përgjigj duke thënë se kërkesat duhet të bëhen sipas rregullores dhe jo për qëllime propagande.