Situatë problematike në Bashkinë e Matit, dëmtohen keq rrugët rurale
Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar probleme të mëdha në infrastrukturën rrugore të Bashkisë Mat. Thuajse të gjitha rrugët e fshatrave kanë probleme me shembje të dherave apo me dëmtim të trupit të rrugës. Ndërkohë, dalja e përroit të Urakës në fshatin Bruç rrezikon përmbytjen e disa banesave për shkak të prurjeve të shumta të cilat kanë dëmtuar argjinaturën mbrojtëse. Kryetari në detyrë i Bashkisë Mat, Myslim Zeneli i shoqëruar nga kryetari i sapo zgjedhur Altin Bojni panë nga afër situatën në fshatin Bruç. Kryebashkiaku Zeneli tha se situata është e rëndë sa i përket rrugëve rurale, ndërsa ekipet e Bashkisë janë në terren.
Reshjet e shiut vijojnë pa ndërprerje, ndërsa orët në vijim pritet të jenë më kritike. Sipas parashikimeve deri ditën e nesërme do të ketë reshje shiu të pandërprera çka mund të shkaktojnë probleme më të mëdha jo vetëm në Mat, por edhe zona të tjera.