Situatë më e qetë në Bashkinë Klos

Situatë më e qetë në Bashkinë Klos

Rënia e intensitetit të reshjeve të shiut gjatë ditës së mërkurë ka bërë që në Bashkinë e Klosit dëmet të jenë më të vogëla. Në rrugët rurale të paasfaltuara ka rënie të dherave por pa krijuar bllokimin total të tyre.

Ndërkohë, problematike situata mbetet në fshatin Shkallë, pasi fryrja e zallit të Murrizes ka vënë në rrezik urën e improvizuar nga banorët për të kaluar në rrugën e Arbrit.

6 familje në lagjen “Metaj” në fshatin Shkallë, rrezikojnë të mbeten pa komunikim me rrugën e Arbrit si pasojë e prurjeve të shumta të zallit të Murrizes.

Jashtë kameras banorët thanë se që në nisje të punimeve për Rrugën e Arbërit, firma ndërtuese kishte premtuar ndërtimin dhe rikonstruksionin e urës, e cila u dëmtua pikërisht me fillimin e këtyre punimeve, por që asnjëherë nuk u realizua.

Ndërkohë, sinoptikanët parashikojnë vijimin e reshjeve të shiut në të gjithë qarkun Dibër, ku të enjten priten rënie të temperaturave dhe reshje dëbore në zonat malore.

Sakaq, në të katër bashkitë e qarkut Dibër shtabet e mbrojtjes civile kanë zhvilluar mbledhje për marrjen e masave për përballimin e situatëve të mundshme që mund të vijnë nga reshjet e shiut apo nëse do të ketë reshje dëbore.