Situatë e rënduar pranë terminalit të autobuzave në Bulqizë, mjegull në Peshkopi
Situata e përmbytjeve në lagjen e vjetër të Bulqizës vijon të jetë e rënduar. Zona pranë terminalit të autobuzave të linjave interurbane mbetet e pushtuar nga uji.
Bllokimi i pusetave dhe kanaleve kulluese ka bërë që uji të vërshojë në rrugën mes dy lagjeve dhe të bllokojë sheshin para terminalit. Automjetet e vogëla e kanë thuajse të pamundur të lëvizin pasi niveli i ujit shkon deri në 30 cm. Situata pritet të rëndohet akoma më shumë nëse nuk ndërhyhet pasi reshjet e shiut po vijojnë.
Një tjetër problematikë i shkaktuar nga moti është edhe prania e mjegullës në aksin rrugor Maqellarë – Peshkopi. Më shqetësuese situata paraqitet në afërsi të unazës së qytetit të Peshkopisë ku mjegulla e dendur është bërë rrezik jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe banorët. Këta të fundit thonë se është shumë e rrezikshme të ecësh në rrugë kur ka mjegull pasi mund të përplasesh nga automjetet. Ata shprehen se as sinjalistika nuk është e mjaftueshme për drejtuesit e mjeteve që t’i mbajë në hapsirën e tyre lëvizëse.
Banorët që jetojnë përgjatë aksit të ri të rrugës së Arbrit Herebel – Peshkopi kërkojnë më shumë siguri.