Situata nga rrugët në jug të vendit, kamionët e tonazhit të rëndë do të kalojnë nga rruga e Arbrit
Pas situatës së krijuar të ditëve të fundit në rrugët e jugut që e lidhin me Tiranën, Autoriteti rrugor Shqiptar është detyruar të përcaktojë itinerarin e qarkullimit të të gjitha llojeve të automjeteve. Pas bllokimit total të segmentit rrugor në zonën e “Arrat e Gurrës”, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec, ARRSH ka përcaktuar si itinerar për mjetet e tonazhit të rëndë: Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës, Dibër – Rruga e Arbërit – Tiranë. Kjo ka bërë që në pikën doganore të Bllatës të ketë një fluks të lartë të lëvizjes gjatë kësaj të hëne, ndonëse kapacitetet e kësaj pike doganore janë të vogëla. Dhjetra automjete me ngarkesa të mëdha do të kalojnë nga rruga e Arbrit, e cila edhe kjo ditët e fundit ka shfaqur probleme me shembjen e skarpatave apo të çarjes së trasesë. Drejtuesit e mjeteve thonë se me këtë ngarkesë, edhe rruga e Arbrit mund të ketë të njëjtin fat si ajo Librazhd – Pogradec. Problemet në rrugën e Arbrit janë konstatuar në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos, segmentin e Njësisë Xibër deri tek tuneli i Murrizit si dhe në fshatin Maricë të Tiranës ku ka dëmtim të skarpatës.