
I gjithë territori i Qarkut Dibër vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet dhe në raste shoqëruar edhe me erë të fortë.
Nga informacionet e marra në mesditë nga terreni rezulton se:
-Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht, ndërsa në rrugën e Arbërit ka patur rënie gurësh e inertesh, por pa bllokuar rrugën në qarkullim. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin, dhe mbajtjen funksionale të tyre. Edhe Rrugët rurale janë përgjithësisht të kalueshme.
Në bashkinë Dibër janë shënuar disa probleme infrastrukturore:
Me daljen nga shtrati të përroit të Gjelagjoshtit në fshatin Kishacec të Njësisë Kastriot janë rrezikuar të përmbyten 4 banesa, por po punohet me forca e mjete pune për të evituar përmbytjen.
Në fshatin Qafë Murrë, të Njësisë Selishtë, është dëmtuar rruga që lidh fshatin me qendrën administrative. Për pasojë të izoluar kanë mbetur edhe rreth 1 mijë banorë. Këtu rruga është dëmtuar me një gjatësi prej rreth 30 metrash duke u bërë e pakalueshme për qarkullimin e automjeteve. Pas njoftimit të pushtetit vendor në Dibër nga banorët për gjendjen e izolimit, administratori i Njësisë Selishtë ka bërë të mundur nisjen e fadromës dejt Qaf Murrës.
Në fshatin Vranjt nga rrëshqitjet e tokës, është dëmtuar gabina elektrike.
Në fshatin Kraj Lurë të Njësisë Lurë, rruga Lurë-Rrëshen është e bllokuar nga grumbullimi i madh i sasisë së ujit.
Në bashkinë Bulqizë: Në fshatin Lejçan të Njësisë Ostren, nga rrëshqitjet e një pllake toke janë rrezikuar të shemben dy banesa. Për pasojë qytetarët janë evokuar në banesa tjera.
Në bashkinë Mat, qeverisja vendore ka patur angazhim të vazhdueshëm me mjete e forca pune për të mbajtur funksional çdo problem të ekspozuar nga reshjet, si shembje të ndonjë segmenti rruge apo rënie të gurëve në to.
Burime pranë prefekturës së Qarkut Dibër bëjnë me dije se furnizimi me energji elektrike tashmë është normal në gjithë territorin qarkut. Po ashtu edhe furnizimi me ujë të pijshëm.