Ndërprerja e reshjeve të dëborës këtë të hënë ka bërë që situata të shkojë drejt normalizimit dhe autoritetet ta kenë më të lehtë të hapin rrugët e fshatrave. Të bllokuar deri tani janë fshatrat e Njësisë Administrative Xibër ku ende nuk ka nisur pastrimi i dëborës në rrugë.
Ndërkohë, Bashkia Klos ka nisur hapjen e rrugëve të Njësisë administrative Gurrë, ku ka prezencë të madhe të dëborës kryesisht në fshatrat Gurrë e Vogël dhe Gurrë e Madhe.
Mjetet e Bashkisë së Matit po punojnë për hapjen e rrugëve të fshatrave të Njësisë Administrative Macukull, Derjan e Komsi, ku trashësia e borës varion nga 20 deri në 30 centimetra.
Deri tani nuk janë raportuar probleme me furnizimin me ujë të pijshëm ku rrjetet e ujësjellësave në fshatra dhe ai i qytetit funksionojnë normalisht.
Ministria e Arsimit ka vendosur që shkollat në Lis, Bruç dhe Frankth të ndërpresin mësimin këtë të hënë deri në një njoftim të dytë.
Sipas parashikimeve sinoptike, reshjet e borës do të ndërpiten duke ja lënë vendin temperaturave shumë të ulta. Termometri në ditët në vijim pritet të zbresë deri në minus 10 gradë Celsius, ç’ka pritet të sjellë edhe ngrica në rrugë.