Situata në Dibër, akset ku kalohet me zinxhirë, dëmtohet rrjeti elektrik, disa fshatra pa energji

Situata në Dibër, akset ku kalohet me zinxhirë, dëmtohet rrjeti elektrik, disa fshatra pa energji

Reshjet e dëborës kanë sjellë një situatë problematike edhe në qarkun e Dibrës. Trashësia e dëborës në qytet arrin deri në 20 cm ndërsa në zonat e thella shkon deri në 40 cm.

Bypass-i i Murrizit në rrugën e Arbrit është hapur prej orëve të pasdites me ndërhyrjen e katër borëpastrueseve që kanë bërë kriposjen e rrugës. Aktualisht kalimi bëhet me zinxhirë.

Edhe në aksin Peshkopi- Kala e Dodës -Kukës kalimi bëhet me zinxhirë, ndërsa më i vështirë është segmenti nga Cereni deri në Vasie pasi era mbush trupin e rrugës me borë duke vështirësuar punën e borëpastrueseve.

Po ashtu në aksin Peshkopi-Qafë Draj-Kukës kalimi bëhet me zinxhirë pasi bora ka zënë rrugën e ngrirë në disa segmente dhe ka rrezik për rrëshqitje.

Një pjesë e rrugëve rurale janë të hapura, por vijojnë të jenë të bllokuara rrugët lidhëse të fshatrave mes tyre dhe me qendrat e njësive administrative.

Problematike është situata në Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Sllovë, Kala e Dodës në Dibër, ndërsa më e qetë paraqitet në Bulqizë Njësitë Krastë, Ostren, Trebisht dhe disa fshatra të Zerqanit.

Si pasojë e reshjeve të dëborës dhe erës së fortë janë dëmtuar shtylla dhe përcjellës elektrikë. Janë pa energji elektrike 8 fshatra në Lurë, fshatrat e Kalasë së Dodës, dhe një pjesë e Sllovës. Energjia mungon edhe në Njësinë Ostren dhe Krastë në Bulqizë.


Abcnews