Situata në Bashkinë Mat pas reshjeve të shiut

Situata në Bashkinë Mat pas reshjeve të shiut

Situata e krijuar nga reshjet e shiut të ditëve të fundit në Bashkinë Mat vijon të jetë e vështirë. Sipas shtabit të mbrojtjes civile më problematike situata është në rrugët rurale. Ndërkohë, për të evituar përmbytjet në fshatin Bruç, këtë të enjte ka nisur ndërhyrja për ndërtimin e argjinaturës.

Forcat e Armatosura i janë përgjigjur pozitivisht Bashkisë së Matit dhe gjatë ditës së sotme kanë nisur punën për përforcimin argjinaturës mbrojtëse në mënyrë që në ditë me shi të rrëmbyeshëm të mos ketë mundësi që zalli i Urakës të dalë nga shtrati.

Mjetet e rënda të ushtrisë do të punojnë deri në riparimin e argjinaturës në zonën me rrezik të lartë përmbytjeje, ndërsa me ndaljen e reshjeve të shiut ka rënë edhe niveli i ujit të zallit të Urakës.

Bashkia e Matit po punon në disa njësi administrative njëherësh për riparimin e rrugëve të fshatrave pasi kanë pësuar dëmtime të mëdha si rezultat i fryrjes së përrenjëve.

Sa i përket përmbytjes së banesave në të gjithë Bashkinë Mat janë evakuar 5 familje të cilët janë strehuar në banesa të tjera. Energjia elektrike është rikthyer në normalitet në të gjithë Bashkinë e Matit e po ashtu edhe furnizimi me ujë të pijshëm.