Si u kthyen në fantazma shumë fshatra të Bulqizës pas largimit masiv të banorëve
Ndonëse në shumë fshatra kanë mbetur në shtëpi vetëm çifte të moshuarish, ka raste kur në disa lagje nuk ka mbetur më asnjë njeri. I tillë është edhe fshati Miresh të Bulqizës. Një lagje e tërë e tij në të cilën para disa vitesh jetonin me dhjetra banorë, nuk ka mbetur më asnjë. Të paktat shtëpi në këtë fshat janë ato përgjatë rrugës kufitare, por lagjet janë mbuluar nga ferrat. Pamjet e banesave janë vërtetë të frikshme, disa të shembura totalisht, të tjera në prag rrënimi e shumë prej tyre të mbluara nga ferrat e bimësia. Hajrulla Shira, kryetar i fshatit Miresh, thotë se në sdisa lagje të këtij fshati është e frikshme të futesh në to. Braktisja e banesave nga banorët ka ardhur si rezultat i mungesës së investimeve në vite, pas rënies së regjimit komunist në vendin tonë. Ai tregon se banorët dikur u lodhën duke pritur investimet bazike nga shteti dhe më pas vendosën që të braktisin gjithçka kishin ndërtuar në vendlindjen e tyre dhe të largohen në vende të tjera për një jetë më të mirë. Shira shton se të njëjtin fat pritet të kenë edhe fshatrat e tjerë, ku aktualisht në to jetojnë shumë pak banorë e kryesisht mosha e tretë.
Në fshatin Miresh të Bulqizës dikur ka patur edhe klinikë dentare por sot gjithçka është e rrënuar. Banori i fundit në këtë lagje fantazmë të Mireshit u largua në vitin 2018, gjë të cilën e dëshmon edhe ky kalendar që qëndron ende varur në mur.