Si një “finale”/Champions league, Bayern Munich pret në shtëpi Inter (sonte live në platformën e Mat Tv)

0
146

Atmosfera duket shumë e mirë. Natyrisht, në kampin e Bajernit, në “Zebener Shtrase”, yjet janë mësuar me çdo lloj sfide, edhe kur kanë përballë Interin në Ligën e Kampionëve, e kur mungesat janë aq shumë sa më nuk bëhet.

Bavarezët luajnë shanset e tyre për gjysmëfinalen të ndërgjegjshëm se të paktën 7 futbollistë nuk janë në dispozicion të trajnerit Vinsens Kompani. Nojer, Dejvis, Ito dhe Musiala janë të dëmtuar, ndërsa Koman e Pavloviç ende në stërvitje individuale.

Problem I madh sidomos lëndimi i fundit i njërit prej yjeve kryesorë, Musialës. Gjithsesi, trajneri Vinsent Kompani nuk e humb besimin, ndërsa Bajerni i tij po i afrohet gjithnjë e më shumë objektivit të madh. Për më tepër, gjermanët janë favoritë sipas parashikimeve.

“Këto ndeshje vendosen nga episodet, jo nga taktika. E dimë se Interi është skuadër shumë e rrezikshme, por e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar. Mendoj se mungesat e shumta nuk duhet të jenë justifikim për ne. Duhet të shohim përpara, luajmë në Champions. Unë kam besim tek lojtarët që do të jenë sot në fushë, e di se do të japin më të mirën. Nuk kam ndërmend të ndryshoj as strategjinë time, dhe as objektivat që kemi në këtë sezon”.

Interi gjithashtu ka probleme, por sidomos shqetëson mungesa e vazhdimësisë.

Kristian Asllani është I pezulluar, ndonëse ylli kuqezi nuk është alternativë kryesore.

Mungesë edhe Damfris, Zielinski, Taremi dhe Karboni.

Sa i shqetësuar është trajneri Simone Inzagi për hapin e gabuar në Parma në Serinë A?

“E dimë se çfarë kemi bërë këtë vit, por edhe e dimë se në ndeshjen e fundit nuk luajtëm mirë. Nuk jemi të lumtur për rezultatin, sepse ndeshjen donim që ta fitonim. Gjithsesi, Championsi na jep një sfidë të madhe ndaj një skuadre që, bashkë me Realin, është favorite për të arritur në finale. Do të luajmë siç kemi bërë gjithmonë. Lojtarët e dinë sesa kemi vuajtur për të qenë këtu. Duhet të jemi skuadër e bashkuar sepse luajmë në një stadium shumë të vështirë”.

Dy gjigandët europianë kanë disa përballje më parë në Europë. Në Champions, Interi I Murinjos fitoi finalen në 2010 me shifrat 2-0, dhe ka dy kualifikime, ndonëse Bajerni ka fituar më shumë ndeshje. Në Kupën UEFA në 1988 nuk harrohet përmbysja e madhe bavareze, me suksesin 3-1 në “San Siro”, pas humbjes 0-2 në Mynih. BURIMI:/abcnews.al