Si 1 milion euro “mbetën rrugëve” të Matit

0

5 vjet më parë Ministria e Mjedisit mori një nismë të madhe në mbrojtje të pyjeve. Ishte vetë ministri i Mjedisit të asaj kohe Lefter Koka i cili prezantoi sistemin e ri të monitorimit të pyjeve i cili do të bëhej me kamera. Plot 1 milion euro u shpenzuan në atë kohë për blerjen e kamerave të sigurisë dhe ndërtimin e kullave në shumë rrugë ku mendohej se kalonte kontabanda e druve. Edhe në Mat u vendosën disa kulla të tilla siç është kjo në fshatin Fshat të Bashkisë së Klosit e cila do të monitoronte rrugën kryesore të Njësisë Administrative Xibër, ku dyshohej se kalonin mjete të ngarkuara me dru që priteshin në pyjet e Xibrit e kryesisht në ato të Gurit të Bardhë apo fshatit Xibër – Murrize. Një kullë si kjo ishte vendosur edhe në vendin e quajtur Qaf Dushka po në rrugën kryesore të Njësisë Administrative Lis. Por i gjithë ky sistem monitorimi pas pesë vitesh është jashtë funksioni. 1 milion eurot e shpenzuara për të, kanë ikur në drejtim të paditur. Megjithëse shërbimi pyjor tashmë është nën varësi të bashkive, nëse ky sistem monitorimi do të vijonte të ishte funksional, do të ishte një ndihmë shumë e madhe për të, për të monitoruar lëvizjet e paligjshmërisë në sektorin pyjor.