Është ndarë nga jeta në moshën 74 vjeçare, Xhemal Tusha, ikona e çiklizmit në Mat i cili për katër dekada me radhë ja dedikoi këtij sporti në rrethin e Matit. Tusha ishte i shtruar në spitalin infektiv në Tiranë pasi u prek nga Covid-19. Ministria e Shëndetësisë informoi të dielën se ai nuk mundi ta fitonte betejën me virusin, pasi vuante dhe nga disa sëmundje të tjera shoqëruese.
Xhemal Tusha ishte themeluesi i ekipit të çiklizmit të Burrelit ku në Shkurt të vitit 1981, ngriti ekipin e parë, duke e bërë më pas pjesë të garave e kompeticioneve të ndryshme, brenda e jashtë kufijve të vendit tonë.
Tusha nuk u shkëput nga ky sport deri në fund të jetës së tij ku stërviti e prodhoi shumë çiklist që i dhanë emër Matit në arenën kombëtare.
Xhemal Tusha, la pas një vepër të madhe, një emër të cilin e krijoi me punën e tij në 40 vite duke i shërbyer sportit të çiklizmit në çdo rrethanë. Edhe pse në disa periudha, ky sport nuk pati mbështetjen e instancave vendore, ai nuk e braktisi, por e mbajti me krenari skuadrën e cila çdo vit i bashkohej Turit Çiklistik Kombëtar me çiklistët që vetë stërviste gjatë gjithë vitit, në çdo stinë, pavarësisht temperaturave apo reshjeve të shiut.
Mat Televizion i shpreh ngushëllimet e thella familjes, të afërmve e miqëve të tij për këtë humbje të madhe.