Shteti harron minatorët, përgatit “gosti” për Samir Manen. Gati projektligji për heqjen e rentes minerare

0

Prej afro një viti sektori minerar në vendin tonë po përballet me një krizë të zgjatur. Kjo për shkak se çmimi i mineralit që prodhohet këtu është shumë i ulët në tregun ndërkombëtarë, e për pasojë mijëra ton krom të nxjerrë nga nëntoka kanë mbetur stog. Pronarët e minierave nuk e kanë shitur prodhimin pasi sipas tyre nuk mbulon koston e jo më të ketë fitim për ta. Që prej Janarit të këtij viti shumë prodhues kanë reduktuar punëtorët dhe më e keqja nuk i kanë paguar prej muajsh. Nga ana tjetër, pandemia Covid-19 ka rënduar akoma edhe më shumë këtë sektor, duke e zhytur në krizë të thellë. Paketat e ndihmës së dhëna nga qeveria nuk e përfshinë industrinë minerare, ndërsa me qindra minator sot janë të papunë. Por shteti sëfundmi ka menduar për pronarët. Në një projektligj të bërë gati për tu dërguar në parlament e që Mat Televizion e disponon, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shoqata e Minierave të Shqipërisë, Shoqata Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kanë propozuar që të ndërmerret nisma për heqjen e rentës minerare për grupin e mineraleve metalore që përpunohen në vend për të paktën një periudhë 3-vjeëare. Ky përjashtim do të ketë efekte në mineralet metalore që përpunohen në vend, si kromi dhe bakri që janë dhe mineralet kryesore që prodhohen në vend. Ndërkohë, të njëjtat minerale që eksportohen të papërpunuara do të vijojnë të kenë të njëjtin nivel të rentës minerare. Pra siç duket në këtë projektligj, do të përfitojnë vetëm ata që e përpunojnë produktin në vendin tonë, në Uzinën e Ferrokromit në Komsi dhe në Elbasan e që në të vërtetë janë në dorën e prodhuesit më të madh të kromit në vend, Albchrome. Prodhuesit që duan ta shesin mineralin të papërpunuar, duhet të vazhdojnë të paguajnë rentën minerare. Ndërkohë nga kjo nismë, në 3 vitet e ardhshme do të ketë në buxhetin e shtetit plot 500 milion lekë të rinj më pak. Por për minatorët nuk thuhet asgjë, ata të cilët kanë mbetur papunë apo ata të cilët punojnë pa u paguar prej 10 muajsh, edhe pse me ato para mbajnë familjet e tyre.