Shtatë lindje në 5 ditë në maternitetin e Peshkopisë
Shtatë foshnje kanë ardhur në jetë në 5 ditët e para të vitit 2026 në maternitetin e spitalit Rajonal të Dibrës. Fëmija i parë për këtë vit ka lindur me datë 2 Janar, ndërsa fëmijët e tjerët në ditët në vijim.
Mjeku obstetërgjinekolog pranë këtij spitali Bajram Balliu tha se trendi i ditëve të para të Janarit është më i lartë se ai i vitit të kaluar, megjithatë sipas tij numri total vjetor i lindjeve është në rënie.
Gjatë vitit që lamë pas kanë ardhur në jetë në këtë maternitet 443 fëmijë, ndërsa në vitin 2024 kanë lindur 558 fëmijë. Nga 2024 në 2025, kanë lindur 115 fëmijë më pak.
Mjeku obstetër Bajram Balliu thotë se me shtimin e aparaturave të nevojshme dhe shtrimeve, ky trend mund të rritet këtë vit.
Shtatë fëmijët e ardhur në jetë në 5 ditët e para të këtij viti në Spitalin Rajonal Dibër gëzojnë shëndet të plotë.