Shqiptarët, Komuniteti i Dytë Më i Madh i Emigrantëve në Itali: Një Prani e Konsoliduar në BE

Shqiptarët, Komuniteti i Dytë Më i Madh i Emigrantëve në Itali: Një Prani e Konsoliduar në BE

Shqiptarët përbëjnë komunitetin e dytë më të madh të emigrantëve në Itali, pas rumunëve, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat mbi strukturën e popullsisë së huaj sipas vendit të lindjes.

Statistikat tregojnë se rreth 557 mijë persona të lindur në Shqipëri jetojnë në Itali, ndërsa rreth 416 mijë prej tyre rezultojnë ende me shtetësi shqiptare.

Diferenca mes këtyre dy shifrave lidhet kryesisht me faktin se një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve shqiptarë kanë marrë ndërkohë shtetësinë italiane. Sipas vlerësimeve, rreth 141 mijë persona me origjinë nga Shqipëria janë pajisur tashmë me pasaportë italiane.

Kjo e konfirmon komunitetin shqiptar si një nga më të konsoliduarit në Itali, duke ruajtur një prani të fortë si në tregun e punës ashtu edhe në strukturën sociale të vendit. Personat e lindur në Shqipëri përbëjnë rreth 8.3% të totalit të emigrantëve në Itali.

Grupi më i madh i emigrantëve në Itali mbetet ai rumun, me rreth 900 mijë persona të lindur në Rumani, që përfaqësojnë rreth 13.5% të totalit të emigrantëve në vend.

Në raport me popullsinë e vendeve përkatëse, komuniteti shqiptar në Itali është shumë më i madh. Rumania ka rreth 19 milionë banorë, ndërsa Shqipëria rreth 2.36 milionë, çka tregon se pesha e emigracionit shqiptar është dukshëm më e lartë.

Eurostat nuk përfshin në këtë raport të dhëna për Greqinë, ku gjithashtu jeton një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë, që vlerësohet të jetë në nivele të ngjashme ose edhe më të larta se në Itali.

Në nivel europian, Shqipëria renditet ndër vendet me shkallën më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë, me vlerësime që tregojnë se afërsisht një në dy shqiptarë jeton në një vend të Bashkimit Europian.

Sipas Eurostat, më 1 janar 2024 rreth 44.7 milionë persona të lindur jashtë Bashkimit Europian jetonin në një nga vendet anëtare të BE-së, duke përfaqësuar 9.9% të popullsisë së përgjithshme të unionit. Ky numër shënoi një rritje prej rreth 2.3 milionë personash krahasuar me vitin e mëparshëm.

Ndërkohë, rreth 17.9 milionë persona që jetonin në një vend të BE-së kishin lindur në një shtet tjetër të unionit, një rritje prej 0.2 milionë personash krahasuar me një vit më parë.

Në terma absolutë, numri më i madh i personave të lindur jashtë vendit që jetonin në BE më 1 janar 2024 u regjistrua në Gjermani me 16.9 milionë, e ndjekur nga Franca me 9.3 milionë, Spanja me 8.8 milionë dhe Italia me 6.7 milionë.

Së bashku, këto katër vende përbëjnë rreth 66.6% të totalit të personave të lindur jashtë vendit që jetojnë në Bashkimin Europian, ndërsa përfaqësojnë 57.8% të popullsisë së përgjithshme të unionit.

Pesha më e lartë e personave të lindur jashtë vendit në raport me popullsinë totale u regjistrua në Luksemburg, ku ata përbëjnë 51% të popullsisë rezidente. Pas tij renditen Malta me 30.8%, Qipro me 26.9%, Irlanda me 22.6%, Austria me 22.1%, Suedia me 20.6% dhe Gjermania me 20.2%.

Në anën tjetër, përqindja më e ulët e personave të lindur jashtë vendit u regjistrua në Poloni me 2.6%, Rumani me 3.1%, Bullgari me 3.3% dhe Sllovaki me 3.9%.